Përmbytjet masive që kanë përfshirë veriun e Nepalit, pranë kufirit me Kinën, kanë lënë pas një bilanc tragjik me të paktën 683 persona të vdekur. Në Nepal janë raportuar 675 viktima, ndërsa Kina ka bërë të ditur se shtatë njerëz kanë humbur jetën nga fatkeqësia natyrore, sipas të dhënave më të fundit.
Numri i personave të shpallur të zhdukur është rreth 3 mijë në të dy shtetet, ku vetëm në Nepal raportohen 2,426 të humbur. Ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë me operacionet për të gjetur të zhdukurit dhe për të larguar banorët që janë bllokuar nga përmbytjet në zonat më të prekura.
Katastrofa ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme ndaj banesave dhe infrastrukturës lokale. Ministri i Jashtëm i Nepalit, Sisir Kanal, ka theksuar se kostot për rindërtimin dhe rikthimin në normalitet mund të shkojnë në miliarda dollarë.
Përballë krizës, autoritetet në Nepal i janë drejtuar komunitetit ndërkombëtar për ndihmë. Disa vende e organizata kanë reaguar duke ofruar ndihmë të menjëhershme. Bashkimi Evropian ka ndarë 2 milionë euro për përballimin e pasojave, ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka premtuar një mbështetje financiare prej 5 milionë paundësh.
Aktualisht, prioritet mbetet shpëtimi i banorëve të izoluar dhe identifikimi i trupave të viktimave. Autoritetet kanë kërkuar veçanërisht pajisje mjeko-ligjore dhe mbështetje për analizat e ADN-së, pasi qindra trupa janë nxjerrë nga zona e fatkeqësisë.
Ky katastrof ka prekur rëndë Nepalin, një vend që varet shumë nga sektori i turizmit si dhe nga dërgesat që vijnë prej qytetarëve të tij që punojnë jashtë vendit.

