Punimet për rehabilitimin e zonës së Zdrales në Shkodër kanë rikthyer në vëmendje marrëdhëniet e tensionuara mes Bashkisë së Shkodrës dhe Myftinisë së Shkodrës, këtë herë për rrethimin e Xhamisë së Parrucës.
Në projektin e rehabilitimit të zonës, për Xhaminë e Parrucës është parashikuar edhe vendosja e një rrethimi transparent, i cili mund të realizohet me xham ose me një material tjetër plastik. Në të njëjtin projekt parashikohet edhe ndërtimi i një kioske, për të cilën më herët Bashkia dhe Myftinia kishin arritur një dakordësi.
Megjithatë, me kalimin e kohës, as rrethimi dhe as kioska nuk janë realizuar. Sipas burimeve, Bashkia e Shkodrës ka tentuar që të mos ndërtohej asnjëra prej tyre, me argumentin se synohej lirimi i hapësirave publike në qytet.
Në rastin e kioskes, Myftinia e Shkodrës duket se e ka lënë çështjen mënjanë, ndërsa për rrethimin e territorit të xhamisë myftiu Imam Muhamed Sytari ka këmbëngulur që ai të realizohet sipas projektit të miratuar.
Sipas burimeve, mungesa e rrethimit është bërë shkak për përplasje mes myftiut Sytari dhe kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci. Për afro një muaj, marrëdhëniet mes tyre kanë qenë të tensionuara pikërisht për këtë çështje.
Myftinia ka argumentuar se rrethimi është i nevojshëm për të mbrojtur territorin e xhamisë dhe për të parandaluar hyrjen e personave të paautorizuar, përfshirë endacakë apo persona të tjerë.
Pas përplasjeve të javëve të fundit, situata duket se ka marrë një tjetër drejtim. Kryebashkiaku Benet Beci priti në zyrën e tij myftiun Sytari, me të cilin zhvilloi një takim që zgjati më shumë se dy orë.
Takimi nuk ka qenë tërësisht i qetë, por në përfundim, sipas burimeve, është arritur dakordësia që rrethimi transparent i Xhamisë së Parrucës të vendoset sipas parashikimeve të projektit fillestar. Ndërkohë, mbetet ende e paqartë nëse Bashkia do të japë dritën jeshile për ndërtimin e kioskes, e parashikuar në dakordësinë fillestare mes palëve.
Një ditë pas takimit, si Myftinia e Shkodrës ashtu edhe Bashkia reaguan thuajse në të njëjtën kohë. Të dyja palët konfirmuan zhvillimin e takimit dhe, me një gjuhë të kujdesshme, bënë të ditur se diskutimet ishin përqendruar te Xhamia e Parrucës dhe se ishte rënë dakord për vendosjen e rrethimit transparent.
Përplasjet mes Bashkisë së Shkodrës dhe Myftinisë nuk janë të reja. Prej afro një viti, marrëdhëniet mes dy institucioneve kanë qenë të tensionuara, ndërsa një prej çështjeve kryesore të debatit është kulla që po ndërtohet pranë hotel Turizmit.
Myftinia e Shkodrës ka kundërshtuar ndërtimin e saj, duke pretenduar se trualli ku po zhvillohet projekti është pronë e saj dhe duke iu referuar edhe vendimeve gjyqësore në lidhje me pronësinë.

