Niklas Süle ka njoftuar zyrtarisht tërheqjen nga futbolli profesionist në fund të sezonit 2025/26, duke mbyllur një karrierë të gjatë në nivelet më të larta të futbollit gjerman dhe europian.
Mbrojtësi i Borussia Dortmundit bëri të ditur vendimin e tij në podcastin “Spielmacher”, duke konfirmuar se kontrata e tij aktuale do të jetë edhe e fundit në karrierë.
“Dua të njoftoj se do ta përfundoj karrierën time këtë verë,” deklaroi Süle.
Vendimi i tij vjen pas një dëmtimi të fundit në gju, të pësuar në ndeshjen ndaj TSG Hoffenheim, që duket se ka qenë pika vendimtare për t’i dhënë fund karrierës së tij.
30-vjeçari tregoi edhe momentet emocionale pas dyshimeve për një dëmtim të rëndë, duke përshkruar tronditjen në dhomat e zhveshjes dhe frikën nga një tjetër dëmtim i rëndë në ligamentet e gjurit.
“Isha në dush dhe qava për dhjetë minuta. Në atë moment mendova se gjithçka kishte mbaruar,” rrëfeu ai.
Süle, i cili ka qenë edhe pjesë e Bayernit, u transferua te Dortmundi në vitin 2022 dhe ka zhvilluar 109 ndeshje me fanellën e “verdhezinjve”.
Në nivel kombëtaresh, ai ka regjistruar 49 paraqitje me Gjermaninë, ndërsa në Bundesligë ka arritur në total 299 ndeshje me Hoffenheimin, Bayernin dhe Borussia Dortmundin.
Me këtë vendim, Süle i jep fund një karriere të ndërtuar mbi forcë fizike dhe eksperiencë, duke lënë pas një gjurmë të rëndësishme në futbollin gjerman të dekadës së fundit.

