Mungesa e punonjësve në sektorë kyç si turizmi, ndërtimi dhe fusha të tjera po shtyn shtetet e Ballkanit të kërkojnë forca të reja pune nga Nepali, Filipinet, Vietnami dhe Indonezia. Në këtë kontekst, Shqipëria ka firmosur kohët e fundit marrëveshje bashkëpunimi me Vietnamin dhe Indonezinë.
Për rreth tridhjetë vjet, shtetet ballkanike kanë qenë kryesisht eksportuese të punës drejt vendeve më të zhvilluara të Europës.
Mirëpo, si pasojë e emigracionit të lartë, rënies demografike dhe kërkesës në rritje për fuqi punëtore, këto vende po kthejnë sytë nga Azia për të plotësuar boshllëqet në tregun e tyre të punës.
Në një analizë të publikuar nga bne IntelliNews, theksohet se Shqipëria dhe Kroacia po ndjekin trendin e rekrutimit të punonjësve aziatikë.
Shqipëria ka finalizuar brenda disa ditësh dy marrëveshje – njëra me Vietnamin dhe tjetra me Indonezinë – për punësimin e shtetasve të huaj, ndërkohë që po vazhdojnë edhe bisedimet me Filipinet.
Kërkesa për punonjës të huaj në Shqipëri është më e lartë në turizëm, hoteleri, ndërtim, industri prodhuese, bujqësi dhe transport. Sipas shifrave të cituara në raport, Vietnami vlerëson se Shqipërisë i nevojiten mes 20.000 dhe 30.000 punonjës të huaj.
Marrëveshja me Vietnamin, e firmosur më 29 korrik, garanton “trajtim të barabartë për punonjësit sa i përket pagave, kushteve të punës dhe përfitimeve sociale”.
Gjithashtu, punëdhënësit shqiptarë do të detyrohen të mbulojnë shpenzimet e rekrutimit dhe udhëtimit përpara se punonjësit të largohen drejt Shqipërisë.
Vetëm një ditë pas marrëveshjes me Vietnamin, u arrit edhe një memorandum mirëkuptimi me Indonezinë, i cili parashikohet të hyjë në zbatim brenda vitit 2026.
Shqipëria ka synuar që të sjellë rreth 40.000 punonjës të huaj, por aktualisht ka vetëm rreth 15.000. Çdo vit lëshohen nga 12.000 deri në 15.000 leje pune, shumica në ndërtim, turizëm dhe hotele.
Kroacia ndërkohë, përbën shembullin më të avancuar në këtë drejtim. Numri i të huajve të punësuar është rritur ndjeshëm dhe punëtorët nga Nepali janë tashmë një nga grupet më të mëdha të punonjësve të jashtëm.
Gjatë vitit 2024, Kroacia lëshoi rreth 206.500 leje qëndrimi dhe pune: 75.000 për ndërtim, 56.000 për sektorin e turizmit dhe hotelerisë, dhe afro 28.500 për industrinë.
Punonjësit nepalezë zotërojnë 35.600 leje, shumë afër atyre që vijnë nga Bosnja dhe Hercegovina, që tradicionalisht përbënin grupin më të madh.
Përhapja e këtij fenomeni lidhet me krizën demografike në rajon. Kroacia ka humbur afro 20% të popullsisë që nga shpallja e pavarësisë, ndërsa në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor janë larguar rreth 2.5 milionë njerëz në 20 vite. Tani, më shumë se një e pesta e popullsisë së Ballkanit jeton jashtë vendit të origjinës.
I njëjti problem po prek dhe Shqipërinë. Emigracioni i lartë dhe mungesa e fuqisë punëtore ndodhin pikërisht në kohën kur ekonomia kërkon gjithnjë e më tepër të punësuar, sidomos për shkak të ritmit të zhvillimit në turizëm, ndërtim dhe projekte infrastrukturore.
Punëdhënësit shqiptarë raportojnë mungesa të mëdha të profesionistëve si muratorë, elektricistë, hidraulikë, saldatorë dhe marangozë.
Por, punësimi i të huajve aziatikë sjell edhe vështirësi të reja. Një nga rreziqet është që Shqipëria të shndërrohet në vend tranziti për punonjësit që kanë në plan të lëvizin më tej drejt shteteve të Bashkimit Evropian.
Sipas ekspertëve të migracionit të cituar në analizë, disa nga punonjësit aziatikë vijnë në Shqipëri me kontrata të rregullta pune, por e braktisin vendin pas pak muajsh.
Një sfidë tjetër është integrimi dhe sigurimi i të drejtave të punonjësve. Përvoja kroate tregon se shtimi i shpejtë i numrit të të huajve duhet të shoqërohet me kontroll më të rreptë ndaj agjencive të rekrutimit, mbrojtje të të drejtave dhe politika të qarta integrimi.
Si rrjedhim, ndërsa popullsia vendase e Ballkanit po largohet, rajoni po shndërrohet nga eksportues i fuqisë punëtore në një destinacion të ri për punëtorë nga Azia.
Për Shqipërinë, sfida qëndron jo vetëm tek tërheqja e punëtorëve të huaj, por edhe tek krijimi i kushteve që ata të mbeten dhe të integrohen në tregun vendas të punës.

