Një incident që mund të kishte përfunduar në tragjedi u parandalua në një autostradë të Suedisë, kur dy pasagjerë ndërhynë me vendosmëri pasi shoferi i autobusit humbi ndjenjat papritur gjatë drejtimit të mjetit me rreth 50 persona brenda.
Raportimet nga mediat lokale bëjnë të ditur se Maria Helte reagoi pa humbur kohë, duke marrë timonin në përpjekje për të stabilizuar autobusin dhe për të mos lejuar daljen nga rruga.
Një pasagjer tjetër, në të njëjtën kohë, vrapoi drejt sediljes së shoferit, u ul dhe arriti të frenojë, duke siguruar ndalimin e menjëhershëm dhe të sigurt të autobusit.
Falë veprimit të menjëhershëm dhe bashkëpunimit mes dy pasagjerëve, autobusi u ndalua plotësisht pa shkaktuar asnjë incident. Në bord ndodheshin rreth 50 udhëtarë, të cilët shpëtuan pa lëndime.
Ngjarja u regjistrua më 19 gusht, ndërsa videon që dokumenton incidentin e publikuan sot. Maria Helte, ndonëse nuk kishte asnjë eksperiencë në drejtimin e autobusit, veproi pa hezitim dhe mbajti kontrollin e mjetit në momentet kyçe deri në ndalesë.
Pasagjerët u përballën me çaste të tensionuara, ndërsa ekipi i emergjencës u paraqit në vendngjarje për t’i dhënë ndihmën e nevojshme drejtuesit të autobusit.
Ndërhyrja e dy pasagjerëve ishte vendimtare për të shmangur një aksident të rëndë, duke dëshmuar se veprimi i shpejtë dhe gjakftohtësia në situata të vështira mund të shpëtojnë jetë.

