Shqipëria mbart një trashëgimi të pasur fetare, ku katolicizmi ka qenë një ndër faktorët kryesorë në ndërtimin e identitetit shpirtëror dhe kulturor të shqiptarëve. Në nder të Festës së Zojës së Ngritur në Qiell, Bazilika “Nanës së Këshillit të Mirë” në Shkodër ka prezantuar numrin e dytë të kolanës së revistës kulturore Art dhe Trashëgimi, të titulluar “Trashëgimia katolike e Shqipërisë”. Ky vëllim prej 220 faqesh, që përmban studime akademike, dëshmi të rëndësishme historike dhe reflektime të thelluara, ofron një panoramë gjithëpërfshirëse mbi rolin e katolicizmit në historinë shqiptare dhe më tej.
Botimi është realizuar me mbështetjen e 40 studiuesve dhe intelektualëve nga Shqipëria, Kosova, Diaspora dhe një sërë qendrash akademike evropiane. Ky koleksion sjell në vëmendje trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore të katolicizmit duke vënë theksin në fusha të ndryshme si artet sakrale, letërsinë e vjetër shqipe, figurat e shenjta dhe urdhrat monastikë – përfshirë françeskanët dhe dominikanët.
Ndër temat kryesore të këtij botimi spikat roli që Kisha Katolike ka pasur në ndërtimin e identitetit kulturor dhe shpirtëror të shqiptarëve. Publikimi përbën një rikthim në fillesat e traditave dhe besimeve që kanë ndikuar ndjeshëm në zhvillimin e shoqërisë shqiptare, duke pasqyruar ndikimin e kishës në fushat e arsimit, kulturës dhe letërsisë.
Libri trajton gjithashtu bashkëjetesën e besimit katolik me letërsinë e vjetër shqipe – duke përmendur emra si Migjeni dhe Fishta – por edhe pasurinë e artit pamor. Publikimi është përgatitur në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, dhe është nxjerrë në kuadër të Vitit Jubilar të Shpresës, në shënim të 1700-vjetorit të Koncilit të Nikesë.

