E papritur/ Liqeni i Ohrit nën kërcënim, UNESCO i jep Shqipërisë 5 vite për të zbatuar rekomandimet

Publikuar me datë:

Rajoni i Ohrit, që përfshin Liqenin e Ohrit dhe zonat mbrojtura përreth, i shpëtoi edhe këtë vit futjes në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik, por Komiteti i Trashëgimisë Botërore i UNESCO-s theksoi se kërcënimet që rëndojnë mbi të mbeten të rëndësishme, duke i vendosur Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut një afat pesëvjeçar për zbatimin e rekomandimeve.

UNESCO thekson se ndërtimet pa leje, urbanizimi i pakontrolluar, dëmtimi i bregut të liqenit, menaxhimi i dobët i ujërave të zeza dhe mbrojtja e pamjaftueshme e ekosistemit janë rreziqet kryesore për këtë rajon.

Arian Merolli, ekspert në çështjet mjedisore dhe të trashëgimisë botërore, u shpreh për Amfora.al se ky afat i ri nuk duhet të perceptohet si një sinjal që kriza është shmangur.

“Për mua personalisht ky nuk është një vendim shpresëdhënës. Që nga viti 2020 kam ndjekur procesin dhe kam parë se një pjesë e institucioneve përgjegjëse nuk kishin informacion për strategjinë dhe planin e rehabilitimit”, tha ai.

Sipas tij, strategjia që është miratuar nga të dy shtetet duhet të kishte një plan të detajuar zbatimi, me afate të caktuara dhe ndarje të përgjegjësive të qarta për secilën masë të marrë për mbrojtjen e liqenit.

Këto vendime u morën gjatë sesionit të 48-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, i mbajtur në Busan, Koreja e Jugut, ku 16 nga 21 vendet anëtare votuan pro. Përveç shtyrjes së vendimit për përfshirjen në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik, UNESCO kërkon nga të dy vendet të përshpejtojnë zbatimin e rekomandimeve, duke çmontuar ndërtimet pa leje, përshtatur planet urbanistike sipas standardeve të organizatës dhe përgatitur vlerësime strategjike të ndikimit në mjedis.

Po ashtu, UNESCO ngul këmbë që autoritetet, veçanërisht ato në Maqedoninë e Veriut, të vlerësojnë sa më shpejt ndikimin e ndërtimeve pa leje mbi vlerat universale të këtij rajoni dhe, kur është e nevojshme, të ndërmarrin shembjen e tyre. Organizata rekomandon gjithashtu të mos miratohen plane të reja urbanistike apo zhvillimore derisa të mbyllen vlerësimet strategjike për mjedisin.

Raportet e auditimit zbulojnë se Komuna e Ohrit nuk ka miratuar plane urbanistike për 20 vendbanime, ndërsa nuk është vepruar për prishjen e 4847 objekteve pa leje, edhe pse mes viteve 2019-2024 janë nxjerrë 456 vendime përfundimtare. Brenda zonave të mbrojtura vazhdojnë të evidentohen ndërtime dhe struktura të ngritura pa leje.

Merolli thekson se kjo mungesë e zbatimit të masave sjell pasiguri për përmbushjen e detyrimeve të reja.

“Jam skeptik se sa reale do të jetë gatishmëria e dy shteteve për të zbatuar këto detyrime. Nëse nuk respektohen angazhimet që burojnë nga Konventa e Trashëgimisë Botërore, rajoni rrezikon të humbasë statusin e tij si pasuri botërore”, u shpreh ai.

Përveç problematikës së ndërtimeve pa leje, UNESCO kërkon gjithashtu që të shqyrtohen alternativa për ndërtimin e Korridorit 8 dhe të vlerësohet ndikimi i projekteve të infrastrukturës mbi zonën e mbrojtur.

Eksperti ngre shqetësime edhe për mënyrën se si raportohet progresi për zbatimin e rekomandimeve.

“Raportet vjetore nuk pasqyrojnë realitetin në terren dhe nuk trajtojnë në mënyrë profesionale rekomandimet e UNESCO-s apo mënyrën se si duhet të zgjidhen problemet”, tha Merolli.

Paralajmërimet për Rajonin e Ohrit kanë qenë të vazhdueshme. Për vite me radhë, ekspertët e trashëgimisë, UNESCO dhe organizatat mjedisore kanë shprehur shqetësim për urbanizimin e pakontrolluar, ndërtimet pa leje dhe për mungesën e masave efikase për mbrojtjen e këtij ekosistemi të veçantë.

Gjatë një “workshop”-i në Pogradec me gazetarë investigativë, në vitin 2023, ekspertët theksuan se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kishin vështirësi në përmbushjen e rekomandimeve të UNESCO-s dhe paralajmëruan se, pa veprime konkrete, rajoni mund të klasifikohej si Trashëgimi Botërore në Rrezik.

Edhe në fund të vitit 2024, një tjetër raport nga Misioni Reaktiv i Monitorimit të UNESCO-s evidentoi se keqmenaxhimi dhe mungesa e veprimeve të prekshme nga të dy qeveritë po përshpejtonin degradimin e vazhdueshëm të ekosistemit dhe rrezikonin statusin e Rajonit të Ohrit si Trashëgimi Botërore.

Ekspertët kanë shprehur po ashtu shqetësim për zhvillimet urbane pranë zonave arkeologjike, duke paralajmëruar se ndërtimi i objekteve të reja mund të komprometojë një territor ku janë zbuluar gjurmë vendbanimesh që i përkasin rreth 8500 viteve më parë, ndër më të hershmet në Evropë.

Ndërkohë, organizatat mjedisore dhe shoqëria civile kanë ngritur zërin ndër vite për ngadalësinë në zbatimin e rekomandimeve të UNESCO-s. Së fundmi, kanë raportuar për uzurpimin e disa plazheve të bregut të Ohrit nga koncesionarë, duke akuzuar institucionet lokale dhe inspektoratet për mungesë veprimi. UNESCO, në mënyrë të përsëritur, ka kërkuar ndalimin e urbanizimit të pakontrolluar, heqjen e ndërtimeve pa leje, ruajtjen e vijës bregliqenore, përmirësimin e trajtimit të ujërave të ndotura, mbrojtjen e Kënetës së Studençishtës dhe forcimin e bashkëpunimit institucional mes dy vendeve.

Liqeni i Ohrit vlerësohet si një nga tre liqenet më të vjetër në botë, me histori gjeologjike rreth katër milionëvjeçare. Thellësia maksimale e tij prej 285 metrash e bën atë liqenin më të thellë në Ballkan, dhe një nga rezervat më të mëdhenj të biodiversitetit në Evropë, ku gjenden mbi 200 specie, shumë prej tyre endemike si korani, që nuk gjendet askund tjetër.

Për vlerat e jashtëzakonshme natyrore, pjesa maqedonase e rajonit u regjistrua në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 1979, ndërsa një vit më vonë ky status u zgjerua edhe për trashëgiminë kulturore. Në korrik 2019, statusi i Trashëgimisë Botërore përfshiu edhe territorin shqiptar të Rajonit të Ohrit, duke e njohur kështu liqenin si trashëgimi të përbashkët botërore të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Nga Amfora.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Vllaznia rikthen në fokus François Dulysse, nisin kontaktet për mbrojtësin haitian

Vllaznia vijon lëvizjet në merkaton e verës për të...

Ndodh në Shkodër/ Turistët i futen në shtëpi humoristit Tan Brahimi

Dy turistë nga Anglia kanë hyrë pa autorizim në...

Të reja nga aksidenti në Portin e Durrësit, si e shtypi shoferi i kamionit kolegun

Zbardhen të tjera të dhëna lidhur me aksidentin tragjik...

Bardh Spahia: Deklaratat e Vuçiçit janë kërcënim për Kosovën, Rama po hesht

Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, ka reaguar pas...