Besëlidhja ka nisur përgatitjet për edicionin e ri futbollistik që nga data 8 korrik, me synimin e vetëm për t’u rikthyer në elitën e futbollit shqiptar. Në kampin lezhjan, besojnë se ky vit do të shënojë ngjitjen e tyre në Abissnet Superiore, ndërsa skuadra është duke punuar me intensitet, nën udhëheqjen e trajnerit Elvis Plori dhe ekipit të tij teknik. Gjatë kësaj merkatoje verore, drejtuesit kanë sjellë disa futbollistë me potencial të lartë për të rritur konkurrencën brenda skuadrës, me qëllim që ekipi të arrijë formën optimale për fillimin e kampionatit dhe të garojë që në javën e parë për pozitat e larta. Po ashtu, Besëlidhja ka organizuar katër ndeshje miqësore, të cilat do t’i ofrojnë trajnerit Plori mundësinë për të testuar gjendjen fizike dhe taktike të skuadrës, si dhe për të vlerësuar adaptimin e lojtarëve të rinj që janë bashkuar këtë verë.
Takimi i parë është planifikuar për më 26 korrik në stadiumin e Lezhës, ku do të përballen me Otrantin e Ulqinit, me fillim në ora 18:00. Pas kësaj, më 1 gusht, lezhjanët do të udhëtojnë drejt Durrësit për të sfiduar Teutën në stadiumin “Niko Dovana”. Ndeshja e tretë është caktuar për më 5 gusht në Lezhë, ku do të presin Vorën, ndërsa përballja finale përpara fillimit të sezonit do të zhvillohet më 8 gusht jashtë fushe, ndaj Korabit. Këto katër miqësore pritet t’i ofrojnë stafit teknik një pamje më të qartë mbi gjendjen e skuadrës dhe formacionin që do të përfaqësojë Besëlidhjen në sezonin e ri, ku qëllimi kryesor mbetet rikthimi në Superiore.

