Edhe pse Ujësjellës Kanalizime Shkodër kishte njoftuar se furnizimi me ujë do të rikthehej rreth orës 17:00, në shumë lagje të qytetit rubinetat vazhdojnë të jenë të thatë.
Kanë kaluar më shumë se 12 orë nga ndërprerja e furnizimit dhe qytetarët po përballen me vështirësi të shumta, ndërsa temperaturat kanë kaluar 40 gradë Celsius.
Ndërprerja u bë për shkak të punimeve për lidhjen e rrjetit të ri të ujësjellësit me stacionin kryesor në Dobraç, një ndërhyrje që sipas institucionit ka nisur që në orët e para të mëngjesit dhe është shoqëruar me punë intensive të ekipeve në terren.
Megjithatë, vonesa në rikthimin e ujit ka shkaktuar pakënaqësi te banorët dhe bizneset, veçanërisht në kulmin e sezonit turistik, kur nevoja për furnizim të pandërprerë është edhe më e madhe.
Qytetarët kërkojnë që problemi të zgjidhet sa më parë dhe furnizimi me ujë të rikthehet në normalitet, pasi një qytet i tërë nuk mund të mbetet pa ujë në mes të vapës së verës.

