Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, ka folur për herë të parë në detaje pas vendimit për t’u larguar nga PS dhe për të vijuar mandatin si deputete e pavarur.
Koçeku tregoi se vendimi nuk ishte i momentit, por rezultat i një reflektimi të gjatë dhe i një sërë ngjarjesh që, sipas saj, e shtynë të ndërmarrë këtë hap.
“Fika telefonin që të mos ndikohem nga askush. Vendimin e kam marrë vetëm me ndërgjegjen time”, u shpreh ajo, duke shtuar se familja e ka respektuar zgjedhjen e saj, pavarësisht shqetësimit për pasojat që mund të kishte.
Koçeku tha se edhe më parë kishte shfaqur qëndrime kritike brenda PS-së, veçanërisht për çështjet e mjedisit, mbrojtjen e lumenjve Drin e Bunë, si dhe për investimet dhe problematikat në zonën e Dukagjinit.
Ajo deklaroi se si deputete e pavarur ndihet më e lirë për të mbështetur kauzat që beson dhe për të ngritur zërin për çështjet që, sipas saj, nuk kanë marrë vëmendjen e duhur.
Duke komentuar marrëdhënien me kryeministrin Edi Rama, Koçeku u shpreh se ka pasur kërkesa të vazhdueshme për zonën që përfaqësonte dhe se ka shprehur kritikat e saj si publikisht, ashtu edhe në takime të brendshme.
Sa i përket protestave për Thethin, ajo ritheksoi mbështetjen ndaj banorëve, duke e konsideruar të gabuar mënyrën dhe kohën e ndërhyrjes së institucioneve.
Koçeku konfirmoi se do të vijojë mandatin si deputete e pavarur deri në fund dhe se nuk synon t’i bashkohet ndonjë grupimi politik, duke theksuar se synimi i saj mbetet përfaqësimi i qytetarëve dhe ngritja e zërit për kauzat që mbështet.

