Disa pensionistë në Velipojë kanë ngritur shqetësimin për vonesën e pensioneve, duke deklaruar se edhe pse muaji ka hyrë në javën e dytë, ata ende nuk kanë marrë pagesën që prisnin që në fillim të korrikut.
Çështja u bë publike nga deputeti i Partisë Demokratike, Kliti Hoti, i cili publikoi një video ku disa të moshuar ankohen për situatën dhe kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme.
Sipas tyre, pensioni duhej të ishte shpërndarë që prej datës 1 korrik, ndërsa sot, më 13 korrik, ata thonë se vijojnë të jenë në pritje të pagesës.
“Pensionistët e Velipojës ende nuk kanë marrë pensionin”, shkruan Hoti në reagimin e tij në rrjetet sociale.
Të moshuarit shprehen se vonesa u krijon vështirësi të mëdha ekonomike, pasi pensioni përbën të vetmin burim të ardhurash për një pjesë të madhe të tyre dhe përdoret për të përballuar shpenzimet e përditshme.

