Vllaznia është shumë pranë realizimit të një tjetër goditjeje të rëndësishme në merkato. Sipas gazetarit sportiv Mantho Prokopi, mesfushori boshnjak Rijad Kobiljar është në bisedime të avancuara me klubin kuqeblu dhe transferimi i tij në Shkodër duket gjithnjë e më pranë.
Burime pranë negociatave bëjnë me dije se palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe zyrtarizimi i marrëveshjes pritet të vijë gjatë javës së ardhshme, nëse nuk ndërhyn ndonjë ofertë nga jashtë vendit.
30-vjeçari, i cili së fundmi ishte pjesë e KF Tirana, konsiderohet një futbollist me eksperiencë të madhe ndërkombëtare, pasi ka luajtur në Bosnje, Slloveni, Gjermani, Turqi dhe Shqipëri.
Afrimi i Kobiljar do të ishte një përforcim i rëndësishëm për mesfushën e Vllaznisë dhe një sinjal i qartë i ambicieve të klubit shkodran për sezonin e ri, si në kampionat ashtu edhe në arenën europiane.
Nëse marrëveshja finalizohet, boshnjaku pritet të jetë një nga transferimet më të bujshme të verës për kuqeblutë.

