Pastruan para përmes blerjes së pronave, SPAK çon 4 persona për gjykim. Skema me kompanitë fiktive

Publikuar me datë:

SPAK ka dërguar në gjykim katër persona të akuzuar për pastrim parash dhe veprimtari në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Të pandehurit janë shtetasit spanjoll Domingo Romillo Iriarte, Mihaela Munteanu Manole, Alvaro Romillo Castillo dhe Doris Pere të cilët dyshohet se kanë përdorur tre shoqëri tregtare të krijuara në Shqipëri, si mjete për futjen dhe qarkullimin e fondeve me origjinë të dyshuar kriminale.

Sipas SPAK, shoqëritë “Wingwort” sh.p.k., “Wortnova” sh.p.k. dhe “Wortend” sh.p.k. janë regjistruar në Shqipëri gjatë muajit qershor 2024 me kapital minimal, me të njëjtën adresë dhe pa zhvilluar aktivitet real ekonomik.

Sipas hetimeve, këto subjekte janë përdorur si mjete për të justifikuar qarkullimin e fondeve përmes transaksioneve bankare, faturave të dyshuara si fiktive, pagesave pa dokumentacion ekonomik dhe transfertave ndërkombëtare me subjekte të huaja të lidhura me personat nën hetim.

Domingo Romillo Iriarte akuzohet për veprat penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, sipas neneve 287, 28/4, 333/a/1 dhe 334 të Kodit Penal.

Nga analiza e provave të administruara nga SPAK rezulton se ai dyshohet se ka pasur rolin drejtues dhe organizues në krijimin dhe funksionimin e skemës. Sipas prokurorisë, Iriarte ka administruar shoqëritë tregtare, ka orientuar lëvizjen e fondeve dhe ka vendosur për investimet në pasuri të paluajtshme dhe asete të tjera.

Mihaela Munteanu Manole akuzohet për të njëjtat vepra penale: pastrim të produkteve të veprës penale, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal.

Sipas SPAK, ajo dyshohet se ka marrë pjesë në strukturën kriminale përmes rolit të saj formal në shoqërinë “Wortend” sh.p.k., duke kontribuar në krijimin e pamjes së ligjshme të aktivitetit ekonomik dhe në qarkullimin e fondeve.

Alvaro Romillo Castillo akuzohet gjithashtu për pastrim parash në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”,

Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka kontribuar në funksionimin e skemës përmes rolit të tij në shoqëritë “Wortnova” sh.p.k. dhe “Wortend” sh.p.k., duke ndihmuar në krijimin e një fasade të aktivitetit ekonomik dhe në qarkullimin e fondeve.

Doris Pere akuzohet për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.

Sipas SPAK, ajo dyshohet se ka ndihmuar në funksionimin e skemës përmes veprimeve administrative, bankare dhe organizative në Shqipëri, përfshirë sigurimin dhe përdorimin e adresave për shoqëritë tregtare, si dhe kryerjen e pagesave në emër të tyre.

Një pjesë e fondeve të qarkulluara përmes shoqërisë “Wortend” sh.p.k., sipas hetimeve, është përdorur për blerjen e dy pasurive të paluajtshme në zonën e Dhërmiut, me sipërfaqe totale 23.16 hektarë, me vlerë të deklaruar 1,621,200 euro.

Ekspertiza vlerësuese ka konstatuar se vlera reale e tregut e këtyre pasurive në momentin e shitblerjes ka qenë më e lartë se ajo e deklaruar në kontrata.

Gjithashtu, hetimet kanë evidentuar se “Wortend” sh.p.k. ka realizuar qarkullime financiare në vlera të konsiderueshme që, sipas prokurorisë, nuk përputhen me aktivitetin e deklaruar dhe kapacitetet ekonomike të shoqërisë.

Janë konstatuar kreditime bankare më të larta se vlera e faturave të lëshuara, pagesa ndaj shoqërive të huaja pa dokumentacion justifikues, si dhe blerje automjetesh e pasurish me vlerë të lartë.

Gjatë hetimit, SPAK ka administruar edhe informacion përmes bashkëpunimit ndërkombëtar me autoritetet gjyqësore të Mbretërisë së Spanjës, ku rezulton se disa prej të pandehurve janë subjekt hetimi për vepra penale të mashtrimit.

Në përfundim të hetimeve, SPAK ka vlerësuar se provat e mbledhura janë të mjaftueshme për dërgimin e çështjes në gjyq. Ndërkohë, mbi pasuritë në pronësi të Domingo Romillo Iriarte, Alvaro Romillo Castillo dhe Mihaela Munteanu Manole është vendosur masa e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related