Avokati Kujtim Cakrani njoftoi sot përfundimin e bashkëpunimit të tij ligjor me Ilir Metën.
Sipas një deklarate nga firma ligjore, ndarja është rezultat i humbjes së mirëbesimit dhe mungesës së bashkëpunimit të nevojshëm midis palëve gjatë procesit gjyqësor.
Studioja ligjore sqaroi se ky vendim u mor pas seancës së fundit gjyqësore dhe në përputhje me standardet etike të profesionit.
Çfarë ndodhi gjatë seancës së së mërkurës?
Seanca e së mërkurës ishte e tensionuar mes Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Gjatë kësaj seance, u zhvilluan debate rreth Ardian Shatkut, kushëririt të Monika Kryemadhit, i cili përmendet si një figurë kyç në dosjen hetimore. Ndërkohë, Meta dhe Kryemadhi shkëmbyen akuza dhe replika në sallën e gjyqit.
Pasi përfundoi seanca, Cakrani u shpreh për mediat se tensionet nuk ishin një konflikt personal mes ish-bashkëshortëve, por ishin shkaktuar gjatë diskutimeve për Ardian Shatkun.
“Nuk duhet ta agravojmë sikur ishte një zënkë, ishte një moment kur u përmend Shatku, dëshmitar kyç; këto tensione lindën sepse, nëse Shatku do të ishte thirrur, nuk do të kishte këtë konflikt. Shatku përmendet 327 herë në dosje dhe nuk është thirrur, kjo nxit dyshime për një komplot. Janë kaluar 20 muaj e 2 ditë dhe nuk dihet ende pse po mbahet. Tensionet rezultuan në ngritjen e zërit të Metës; Shatku është kushëriri i Kryemadhit dhe Meta ka mendimin e tij, duke besuar se ka pasur një komplot. As Kryemadhi e as Shatku nuk kanë bërë komplote, por ajo është bërë nga McGonigal, Dumani dhe Kim. Meta ka thirrur McGonigal si dëshmitar pasi ka dyshime se ai ishte në Shqipëri në vitin 2017. Atë vit sapo kishte marrë postin e kreut të Republikës dhe ndaj tij nisi një sulm nga McGonigal, Yuri Kim dhe kundërshtarët e tij”, tha Cakrani pas seancës.
“Dreka e gabuar”
Pas tensioneve të ndodhur gjatë seancës, Monika Kryemadhi, në shoqërinë e besuarës së saj, Elona Guri, shpërndarë një drekë me avokatin Kujtim Cakrani në një nga restorantet në Komunën e Parisit në Tiranë.
Mbështetja që Cakrani i ofroi Kryemadhit pas seancës, veçanërisht për drekën që zhvilluan, ka bërë që Ilir Meta të humbasë besimin ndaj avokatit të tij, duke sjellë kështu përfundimin e marrëdhënies së përfaqësimit ligjor dhe duket se edhe të relacionit miqësor ndërmjet tyre.
Nga Vox News

