Klajdi Bello, një nga organizatorët e protestës, theksoi se qeveria ka humbur totalisht legjitimitetin në çdo aspekt dhe se qytetarët po mobilizohen për të mbrojtur identitetin e tyre kombëtar.
Bello shprehu se gjatë 26 ditëve të fundit ka lindur një frymë e re qytetare, që ka rikthyer shpresën te shqiptarët.
Ai akuzoi autoritetet për përdorimin e mekanizmave për t’i intimiduar aktivistët, duke paralajmëruar se ata që janë përgjegjës do të japin llogari për dëmin e shkaktuar vendit.
Aktivisti nënvizoi se sfida më e madhe për Shqipërinë mbetet shpopullimi dhe largimi i të rinjve, profesionistëve dhe fuqisë punëtore.
Në fjalimin e tij, ai përmendi një postim të kryeministrit në rrjetet sociale, duke sugjeruar se reagimi ndaj aktivistëve tregon se protestat po shfaqin rezultat.
Kritika përfshiu gjithashtu dhe Presidentin e Republikës, për të cilin u shpreh se “historia do ta tallë”, ndërsa lëvizja u përshkrua si një “lëvizje gandiste”, që aspiron ndryshimin përmes rezistencës paqësore.
“Qeveria është totalisht e delegjitimuar në të gjitha prizmat.
Shqiptarët kishin humbur besimin se mund të vepronim jashtë kuadrit partiak, por tani, pas 26 ditësh, ka një frymë kombëtare dhe sot protestojmë për identitetin tonë.
Për mekanizmat intimidues që po përdorin, do të ndajnë përgjegjësinë për dëmin që i kanë shkaktuar kombit. Plaga më e madhe është shpopullimi, humbja e trurit dhe e forcës punëtore.
Shpresa kishte vdekur, por sot shqiptarët janë ngritur si feniksi. Ai postim i kryeministrit, që shënjestron aktivistët, tregon se veprimet tona po japin rezultat.
Historia do ta talli presidentin, pasi ai nuk është gjë tjetër veçse një kukull.
Kjo është një lëvizje gandiste, ne e kemi rikthyer dhe ringjallur shpresën, frika nuk ekziston më.
Kryeministri dhe bashkëpunëtorët e tij në krim e dinë shumë mirë çfarë po ndodh.
Tatimet dhe patronazhistët janë aty për të goditur, dhe ka njerëz në administratë që janë në pikën e thyerjes.
Është për t’u çuditur sesi të huajt flasin me detaje për situatën në Shqipëri; kjo është bërë një filozofi që popujt duhet të ngrihen.
Organizimi i diasporës do të kulmojë më 4 korrik, ata nuk mund të mbahen më në vend,” theksoi Bello.

