Trajneri Sylvinho zbardhi sot listën me 26 emrat e futbollistëve që do përfaqësojnë Shqipërinë në play-off-in e Kupës së Botës 2026.
Bie në sy se mes tyre janë edhe Stavro Pilo dhe Bujar Pllana.
Pilo luan si mbrojtësi i majtë me AEK-un e Athinës, ndërsa Pllana luan si mbrojtës qendre me Lechia Gdansk në Poloni.
Stavro Pilo
I lindur në ishullin Rhodos (Greqi) më 10 dhjetor 2000, Stavros Pilios (Stavro Pilo) është i biri i dy prindërve me origjinë nga Dropulli që kanë emigruar herët në vendin fqinj. Fillimisht ai spikati si mbrojtës i majtë te Pas Janina, për të kaluar më pas për një sezon te Iraklis.
Verën e 2023 AEK-u i Athinës i besoi të riut dhe e afroi në ekip. Gjatë kësaj kohe, Pilio ka luajtur me verdhezinjtë 66 herë, duke shënuar një gol dhe dhuruar shtatë asistime. Vlera e tij në ‘Transfermarkt’ është 1.5 milion euro. Njësoj si Mario Mitaj, i cili doli po nga AEK-u, edhe Stavros Pilios po ndjek të njëjtën rrugë teksa këtë sezon ka bërë 33 paraqitje.
Bujar Pllana
24-vjeçari ka luajtur në Superligën e Kosovës te skuadrat; Trepça, Feronikeli dhe Prishtina, para se në vitin 2023 të kalonte te Slaven Belupo në Kroaci dhe më pas te Lechia Gdansk në Poloni ku luan prej një viti e gjysmë.
Këtë sezon në Superligën polake Bujar Pllana ka luajtur 12 ndeshje për 839 minuta në total. Veç qendrës së mbrojtjes, ai luan edhe në krahun e djathtë dhe duket si një përforcim i Hysajt dhe Balliut.

