Dorëheqja e parevokueshme e rektorit Tonin Gjuraj ka tronditur opinionin akademik dhe publik në Shkodër. Për shumëkënd, kjo nuk është thjesht largimi i një rektori nga detyra, por epilogu i një përplasjeje të fortë mes autonomisë universitare dhe ndikimeve politike që, sipas kritikëve, po shtrijnë kontrollin e tyre edhe mbi institucionet e arsimit të lartë.
Në qendër të debatit qëndron refuzimi i Gjurajt për të pranuar emërimin e Mark Mollës në postin e administratorit të universitetit. Ky refuzim thuhet se ka sjellë një përballje të ashpër me interesa dhe grupe ndikimi që veprojnë përtej mureve të universitetit.
Sipas informacioneve, pas këtyre zhvillimeve qëndrojnë interesa politike të lidhura me kryebashkiakun Benet Beci dhe figura të afërta me strukturat drejtuese të Partisë Socialiste në qytet. Në këtë kontekst përmendet edhe emri i Genc Spahisë, anëtar i Bordit të Administrimit të Universitetit.
Rasti ka ngjallur edhe më shumë debat për shkak të pozicioneve që mbajnë pjesëtarë të së njëjtës familje në institucione të rëndësishme publike. Genc Spahija është anëtar i Bordit të Administrimit të Universitetit të Shkodrës dhe drejtor i hidrocentralit, ndërsa vajza e tij, Kejsi Spahija, drejton Partinë Socialiste të Shkodrës. Bashkëshortja e tij, Ardita Spahija, mban postin e drejtoreshës së Ambulancës. Fakti që tre anëtarë të së njëjtës familje mbajnë poste drejtuese administrative dhe politike dhe gjithashtu konsiderohen të afërt me Benet Becin, ngre pikëpyetje mbi ndikimin që mund të ushtrohet në vendimmarrjen e institucioneve publike të qytetit.
Kur anëtarë të së njëjtës familje mbajnë pozicione kyçe në institucione të ndryshme dhe gëzojnë afërsi me pushtetin vendor, kjo cenon direkt meritokracinë jo vetëm në një forcë politike, por edhe në pavarësinë e institucioneve.
Mbi të gjitha, shqetësimi kryesor lidhet me fatin e Universitetit të Shkodrës, sepse kur dorëheqja e Tonin Gjurajt vjen si rezultat i presioneve politike apo i një përplasjeje për kontrollin e institucionit, atëherë kemi të bëjmë me një alarm serioz për autonominë universitare në Shqipëri.
Universitetet nuk mund të funksionojnë si degë të bashkive, partive apo grupeve të interesit. Ato duhet të mbeten hapësira të lira të mendimit, dijes dhe meritës. Ndaj largimi i një akademiku me profil të konsoliduar si Tonin Gjuraj nuk mund të kalojë si një ngjarje rutinë administrative. Ai meriton shpjegime të plota, transparencë dhe një debat publik të sinqertë mbi atë që po ndodh realisht në Universitetin e Shkodrës. Dhe shpjegimin duhet ta japë kryetari i bashkisë Beci, ai që luan fijet e lojës.
Sepse kur politika hyn triumfuese nga dera e universitetit, autonomia akademike rrezikon të dalë nga dritarja.

