Drejtoria e Përgjithshme e Kadastrës Shqiptare ka zgjedhur të krenohet në rrjetet sociale me faktin se ka pajisur me dokumente pronësie 67 objekte fetare në Shkodër, duke e paraqitur këtë si një arritje të rëndësishme në shërbim të trashëgimisë kulturore, harmonisë fetare dhe sigurisë juridike.
Megjithatë, për shumë qytetarë shkodranë, pyetja që lind natyrshëm është: ku qëndron saktësisht krenaria?
Bëhet fjalë për kisha, xhami dhe objekte ndihmëse që kanë ekzistuar prej dekadash, madje disa prej tyre prej shekujsh, dhe për të cilat askush nuk ka pasur ndonjëherë dyshim se kujt i përkasin. Nuk kemi të bëjmë me prona të kontestuara, me konflikte pronësie apo me situata të ndërlikuara juridike. Janë pikërisht pronat që ndoshta kishin më pak nevojë se kushdo tjetër për “zbulimin” e pronarit të tyre.
Ajo që mbetet për t’u shpjeguar është pse u deshën plot 35 vite tranzicion që shteti shqiptar të arrinte në përfundimin se një kishë është e kishës dhe një xhami është e komunitetit mysliman.
Në postimin e saj, Kadasta flet për “garanci juridike”, “mbrojtje të vlerave” dhe “trashëgimi për brezat e ardhshëm”. Të gjitha këto janë të rëndësishme, por ndoshta lajmi nuk është se dokumentet u dhanë, por se ato munguan për më shumë se tre dekada.
Nëse pas 35 vitesh burokraci shteti arrin të formalizojë pronësinë e objekteve fetare, atëherë më shumë se për sukses administrativ, kemi të bëjmë me një dëshmi të vonesës kronike të institucioneve.
Sepse në fund të fundit, askush nuk priste që Kadastra të zbulonte se kujt i përkasin kishat dhe xhamitë e Shkodrës. Qytetarët e dinin këtë prej kohësh. Vetëm dokumenti zyrtar mbërriti me 35 vite vonesë.

